NJU YORK- Numri i vrasjeve në qytetin e Nju Jorkut pritet të prekë rekordin e rënies këtë vit, sipas të dhënave të policisë lokale.
Deri tani në qytet janë regjistruar 414 vrasje, 19 për qind më pak se në vitin 2011 dhe më pak se që prej 1963-shit.
Kryetari i bashkisë, Michael Bloomberg deklaroi se numri tregon se siguria në qytetin e madh të Amerikës është më e mirë.
Zoti Bloomberg dhe zyrtari i policisë së Nju Jorkut, Raymond Kelly i publikuan shifrat gjatë një ceremonie diplomimi në akademinë e policisë, ditën e premte.
Kuota e vrasjeve gjatë vitit 2012 ishte më pak se një e pesta e rekordit të vitit 1990, kur u regjistruan plot 2245 vrasje.
“Rënia e kuotës së kriminalitetit është rezultat i punës dhe vendosmërisë së burrave dhe grave që vënë jetën në rrezik për ne çdo ditë”, deklaroi Bloomberg.
“Gjithashtu, ajo reflekton angazhimin tonë për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndaluar dhunën e armëve”, u shpreh ai.
Ndërsa zoti Kelly ia atribuoi rënien e vrasjeve politikës “ndalo dhe kontrollo”, një taktikë e diskutuar ku policia mund të ndalojë dhe të kontrollojë persona në rrugë nëse i konsideron të dyshimtë.
Ndërkohë, Çikago ka regjistruar 500 vrasje këtë vit. Qyteti i tretë më i madh i Shteteve të Bashkuara ka pasur një rritje të dhunës mes bandave kriminale, përfshirë një masakër në një fundjavë, ku mbetën të vrarë gjashtë persona.