Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka reaguar për dy vrasjet e ndodhura një natë më parë në kryeqytetet.
Sa i përket rastit ku mbeti e vrarë gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-Presidentit Behgjet Pacolli, Prokuroria thotë se po angazhohen në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, duke mos treguar nëse është identifikuar i autori i dyshuar.
Ndërsa për rastin ku dyshohet se dhëndri vrau vjehrrin, Prokuroria ka treguar se vrasja dyshohet se është kryer me thikë dhe se i dyshuari është identifikuar por ndodhet në arrati.
Vrasjet që tronditën mbrëmë Kosovën, rasti i parë ka ndodhur në rrugën “Dalip Alshiq” në Prishtinë, rreth orës 20:26, ku është vrarë gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, viktima ka qenë në makinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe u ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Ky rast është konsideruar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.
Ndërkohë, vrasja tjetër ka ndodhur rreth një orë më vonë, në rrugën “Ali Vitia”, ku dhëndri dyshohet se ka vrarë me thikë babanë e gruas së tij.