5 vite burg ka dhënë Gjykata e Lezhës për ish-punonjësin e policisë Skënder Seferi, i cili qëlloi për vdekje 15-vjeçarin Armando Skandaj, pas një aksioni policor në korrik të vitit 2010.
Më herët edhe prokuroria e Lezhës kishte kërkuar dënimin e ish-oficerit të policisë me 5-vite burgim. Sipas organit të akuzës, vrasja e 15-vjeçarit ka ndodhur nga pakujdesia dhe Seferi ka qëlluar në drejtim të mjetit ku udhëtonin viktima bashkë me vëllanë e tij, pasi nuk i është bindur postbllokut të policisë për të ndaluar.
Vendimi i gjykatës pritet që të apelohet nga avokati i të pandehurit, i cili kishte kërkuar në gjykatë shpalljen e pafajësisë të klientit të tij. Pas vendimit të Gjykatës babai i viktimës, Frederik Skandaj ka shprehur rezerva ndaj Prokurorisë, pasi sipas tij vrasja nuk ka ndodhur nga pakujdesia, pasi është qëlluar me breshëri në mjetin ku udhëtonte viktima.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur më 17 korrik të vitit 2010 në “Urën e Cenit” në Lezhë, në kohën kur viktima ndodhej në automjetin e të vëllait Ardit Skandaj.
Në momentin që shoferi i makinës, Ardit Skandaj që është vëllai i viktimës, nuk iu bind punonjësve të policisë që të ndalonte, bëri që këta të fundit të qëllojnë me armë mbi automjetin ku udhëtonin ata. Policia tha se u gjuajtën gomat e mjetit, por plumbat kanë devijuar duke kapur pjesën e pasme të makinës, ku ndodhej i ulur 15-vjeçari, i cili ndërroi jetë në vend.