TIRANE, 18 mars 2013- Pritet të zhvillohet sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca gjyqësore ndaj Dritan Dajtit, të akuzuarit për vrasjen e katër policëve të skuadrës speciale operacionale në vitin 2009.
Seanca e kaluar u shty pasi mungoi avokati i caktuar nga gjykata Sajmir Visha .
Visha e ka argumentuar mungesën e tij me angazhimet që ka patur në gjykatën e Lezhës dhe për këtë ai i ka dërguar një deklaratë trupit gjykues ku kërkonte shtyrjen e seancës.
E ndodhur përballë kësaj situate gjykata ka shtyrë seancën dhe i ka kërkuar komisionit për ndihmë juridike në ministrinë e drejtësisë caktimin e një tjetër avokati.
Proçesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, shënon një rekord shtyrjes për drejtësinë shqiptare, ku problem kyç për mbarëvajtjen e gjyqit është bërë mungesa e avokatëve.
Dajti akuzohet se në datën 7 gusht të vitit 2009, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë kërkuarin.





