Policia e Durrësit ka arrestuar Marjan Kodhelin, autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e sotme në fshatin Shkallnur, ku ai vrau me thikë babain e tij, 69 vjeç.
Pas krimit, 25-vjeçari ishte larguar nga vendngjarja dhe sipas informacioneve praprake është kapur nga policia në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në ambientet e një lokali në pronësi të motrës së tij.
Burime policore bëjnë me dije se Marjan Kodheli dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor dhe e goditi të atin pas një konflikti brenda banesës.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes tragjike.
Njoftimi:
Vrau me mjet prerës (thikë) babanë e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas dy orësh ndjekjeje nga Policia, u kap dhe u vu në pranga 25-vjeçari.
Në vijim të informacionit të dhënë mbi vrasjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit P. K., informojmë se, si rezultat i kontrollit intensiv, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës mundësuan lokalizimin në lagjen nr. 13 dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit M. K., 25 vjeç (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), djalit të shtetasit P. K..
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan 25-vjeçarit, me cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.





