Dy vite pas vrasjes së Alfons Kolës, drejtësia ende nuk është vendosur për 33-vjeçarin i cili u vra jashtë një bari në Calcinatello të Italisë.
Autori, një bashkatdhetar i tij, Petrit Gega, 53 vjeç u arrestua menjëherë pas ngjarjes. Dëshmitarët treguan kohën e vrasjes se ai vuante nga probleme me alkoolin dhe ishte i dhunshëm.
“E bëra sepse dëgjoja zëra, shpirtrat më urdhëruan që ta bëja”, tha ai pasi u arrestua.
Autori e njihte që në Shqipëri familjen e viktimës. Arbid Kola, kushëriri i të ndjerit tregoi se edhe ai vetë e njihte Gegën.
“E urrente familjen tonë, ishte i zemëruar me ne. Mendonte se i kishim thyer dritaren e makinës”, tregoi ai.
Pesë vite para ngjarjes fatale, në atdhe, Gega kishte qëlluar edhe vëllain e Arbidit dhe Alfonsin.
“Kanë qenë duke pirë. Kanë pasur armiqësi që atëherë. Isha i kërcënuar edhe vetë. U përpoq që të më thyente krahun me një shkop bejsbolli. Gega donte që të shisja drogë për të”, tha ai.
Për të gjitha këto arsye, gjykata kërkoi raport psikiatrik për shqiptarin. Sipas tij, Gega vuan nga një çrregullim agresiv i personalitetit.