Gjykata ka dhënë “Arrest me burg” për 14-vjeçarin i cili akuzohet se i mori jetën bashkëmoshatarit të tij duke e goditur me thikë. Seanca gjyqësore e cila zgjati pak minuta u zhvillua në ambientet e spitalit ku i mituri ndodhet i shtruar prej plagës që ai ka marrë me thikën që ka përdorur vetë.
Ishin togat e zeza të Gjykatës së Tiranës që morën vendimin, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për rëndim akuze ndaj të miturit, konkretisht për “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi të hënën më 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Pas një sherri me thika për motive banale, mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani.
Ky rast shkaktoi një reagim masiv tek qytetarët e jo vetëm, të cilët kanë zhvilluar edhe protestë ditën e djeshme. Ata kanë parashtruar një sërë kërkesash ndaj qeverisë, që nga dorëheqja e ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu e deri te krijimi i një sistemi më efektiv të raportimit të rasteve të tilla konfliktuale mes të miturve në shkolla.
12 vite heqje lirie është maksimumi i dënimit që mund të jepet nga një Gjykatë në vendin tonë, nëse autori i krimit është i mitur. Dhe kjo, sipas Kodit Penal për të Miturit, nëse ai është nga 14 deri në 17 vjeç. Aplikimi i dënimeve me burgim për këtë moshë bëhet vetëm nëse vepra penale e kryer parashikon një dënim me minimum 7 vite heqje lirie, përcaktim ky që në rastin e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” plotësohet pasi vepra e kryer kategorizohet tek më të rëndat.