Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën arrest me burg për gardistin Admir Dervishi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e çiftit, ku pas një konflikti, gardisti qëlloi për vdekje bashkëshorten 28-vjeçare Ilda Dervishi, në sy të dy fëmijëve të tyre të mitur.

Në dëshminë e dhënë në polici, ai tha se kishte debatuar me të shoqen pasi nuk po i gjente karikuesin e telefonit, ndërsa ai ishte vonë për në punë dhe situata i doli nga kontrolli.

Dervishi shprehu pendesë për krimin duke thënë se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Gjithashtu ai ka pohuar se viktima kishte marrë një kredi pa dijeninë e tij për të ëmën, ndërsa e akuzonte se hiqte para nga të shtëpisë për të ndihmuar nënën e saj.