Ka dalë para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë, Lulzim Cuku, 45-vjeçari i cili mbrëmjen e të shtunës vrau bashkëshorten e tij Manjola Cuku 33 vjeçe, me thikë duke e qëlluar 3 herë, në banesën e tyre në Xhafzotaj, ku ndodheshin edhe fëmijët e mitur.
Prokuroria kërkoi arrest me burg, ndërsa në seancën gjyqësore janë treguar detaje rrëqethëse.
Ditën e krimit të rëndë, në katin e dytë dëgjoheshin të qarat e fëmijëve. Pranë trupit gjendeshin tre fëmijët të mbuluar në gjak. Gjurmët e gjakut të çonin tek tualeti, atje ku dhe policia gjeti gruan dhe tre fëmijët të mbuluar nga gjaku
Më herët, Cuku ka thënë para forcave policore se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë xhelozia që ai kishte për bashkëshorten 12 vite më të re.
Cuku është baba i 3 fëmijëve të mitur, ndërsa në vitin 2006 ka qenë i dënuar për dhunë në familje.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën më 1 shkurt, ndërsa pas krimit, autori ka hipur në një makinë dhe është nisur drejt Dibrës për t’u strehuar atje e për t’i shpëtuar policisë, por gjatë rrugës ai është penduar dhe është vetëdorëzuar në Komisariatin e Burrelit, ku ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë, i shtyrë nga xhelozia, dhe madje ka tentuar edhe vetëvrasjen.





