Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Rei Metën. 33-vjeçari akuzohet për vrasje nga pakujdesia. I riu vrau biznesmenin e ndërtimit, Armando Meshau, pasi mes të dyve pati një përplasje fizike në një qendër interneti.

Viktima, 55-vjeçari Meshau, ishte ulur në një prej kompjuterëve të internet kafesë, ndërsa autori i qëndronte afër në këmbë. Fillimisht ata debatuan me fjalë, ndërsa në një moment, Meshau ngrihet dhe godet me grusht të riun Rei Meta.

Ky i fundit reagoi me disa goditje të njëpasnjëshme. Për pasojë Meshau ra sërish në karrige dhe iu përplas koka në një nga tavolinat.

Konflikti që i mori jetën Meshaut dyshohet të ketë prapavijë mosmarrëveshjet për pronësinë e një apartamenti të një pallati që viktima kishte ndërtuar.

Ky është pohuar dhe nga vetë autori, Rei Meta. Në polici i riu ka deklaruar ndër të tjera se nuk ka pasur qëllim për ta vrarë 55-vjeçarin dhe se vdekja e tij ka qenë aksidentale.

33-vjeçari rezulton të jetë djali i Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Seiti.