Një ngjarje e rëndë tronditi sot qytetin e Pogradecit. Fatbardha dhe Erzen Tora, përkatësisht 23 dhe 26 vjeç, u gjetën të pajetë në haurin ku mbanin bagëtitë nga vëllai i Erzenit, i cili jetonte me çiftin teksa prindërit e tyre jetojnë si emigrantë në SHBA.
Dëshmitarët kanë treguar në Polici që mesnatën e së premtes, bashkëshortët ishin përleshur në banesë.
Sakaq, vëllai i Erzenit tha se bashkëshortët kishin zënka si çdo çift, por jo të kenë pasur probleme për një arsye të caktuar.
Edhe fqinjët i njihnin si persona të qetë dhe familje pa probleme ekonomike. Ai punonte me traktor, ndërsa Fatbardha shtëpiake.
Çifti la pas dy fëmijë, më i vogli djali vetëm 9 muajsh dhe vajzën 3 vjeçare.
E reja goditi me një dru në kokë bashkëshortin duke vrarë në vend. E tronditur nga ajo që kishte bërë, 23-vjeçarja u vetëhelmua me kimikatet kundër brejtësve.
Arsyeja e sherrit që solli tragjedinë thuhet se ka qenë problemi me alkoolin që kishte 26-vjeçari.
Informacioni paraprak nga Policia e Pogradecit:
Më datë 18.02.2017, rreth orës 00:10, jemi njoftuar se në fshatin Velçan në Pogradec, në një kasolle pranë banesës së tyre, janë gjetur të pajetë trupat e dy shtetasve E.T, 26 vjeç dhe F.T, 23 vjeçe, (bashkëshortë)
Nga hetimet paraprake, dyshohet se këta shtetas gjatë natës janë konfliktuar dhe goditur fizikisht me njëri tjetrin.
Më pas konflikti ka vijuar edhe jashtë banesës, konkretisht në një kasolle (pronë e tyre) ku shtetasja F.T dyshohet të ketë goditur në kokë, me mjet të fortë (dru) bashkëshortin e saj, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.
Pas këtij veprimi, shtetasja F.T dyshohet të ketë konsumuar helm dhe për pasojë ka gjetur vdekjen edhe kjo e fundit.
Konflikti mendohet të ketë ndodhur, për motive të dobëta, midis dy bashkëshortëve.
Trupat e tyre janë transportuar në morgun e Spitalit të Pogradecit, ku pritet të kryhet autopsia.
Nga ana e Policisë, po kryhen gjithë veprimet e nevojshme proceduriale dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.





