Gjykata e Kurbinit vendos masën e sigurisë burg pa afat për Violeta Donajn, gruan që vrau bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj në tregun e Milotit ditën e diel.

Donaj në Gjykatë shfaqi pendesë për krimin e rëndë dhe ka shpërthyer në lot. Ajo është shprehur përpara trupës gjykuese se burri e keqtrajtonte dhe luante bixhoz, prandaj edhe kishte ndërmarrë aktin ekstrem në orën 7 të mëngjesit të së dielës.

"Më rrihte. Ai luante bixhoz, i linte lekët në bixhoz. Ndaj dhe e kam kryer krimin e rëndë".

Në seancë nuk ka qenë i pranishëm asnjë familjar.

Çifti kishte dy fëmijë dhe çdo të diel dilnin tek tregu i Milotit për të punuar. Të dielën e 17 qershorit Violeta Donaj, banuese në Rrëshen, hyri në tregun e Milotit me pistoletë në dorë dhe pas disa fjalëve që ka shkëmbyer me bashkëshortin ka qëlluar në drejtim të tij.

Sipas dëshmisë së vëllait të Violetës, ajo kishte disa ditë që ishte larguar nga shtëpia bashkëshortore, ndërsa mëngjesin e së dielës, kur edhe ndërmori aktin e rëndë ajo iu ka thënë familjarëve se do shkonte në shtëpinë e saj për të marrë rrobat.