Gjykata e Apelit në Prishtinë ka shpallur dënimin prej 25 vite dënim me burgim për Naim Smajlin i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij. Gjithashtu Smajli ishte dënuar më 08.03.2024 nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje me dënim unik prej 25 vite dënim me burgim.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Prishtinë dhe mbrojtësit të akuzuarit N. S., ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Prishtinë vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të datës 02.07.2024.
Ndërkohë kundër aktgjykimit dënues të Themelores, ankesë kishte parashtruar avokati i të akuzuarit, Abit Asllani dhe Prokuroria e Prishtinës, por që apeli i kishte konsideruar si të pa bazuara të dy ankesat. Sakaq avokati i tij kishte kërkuar që të anulohet aktgjykimi dënues, të kthehet rasti në pikën zero për gjykim dhe të akuzuarit t’i ndryshohet kualifikimi nga vrasje e rëndë, në vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore. Asllani kishte kundërshtuar aktgjykimin duke konsideruar se i njëjti është i pakuptimt, kundërthënës në vetvete me arsyet e aktgjykimit.
“Me arsyetim se diapozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i pakuptueshëm, kundërthënës në brendinë e tij dhe me arsyet e aktgjykimit, në të nuk janë paraqitur arsyet lidhur me faktet vendimtare edhe ato pak arsye që janë paraqitur janë në kundërthënie të plotë ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave në lëndë”, theksohet ankesa e Asllanit në aktgjykimin e Apelit.
Po ashtu një nga pretendimet ankimore të avokatit janë lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra nga prokuroria, ku ai ka theksuar se gjatë fazës së hetimeve organi i akuzës nuk ka thirrur dëshmitarë të propozuar nga mbrojta e të akuzuarit por vetëm ata që kanë qenë kundër tij.