Kapet në Londër një tjetër i kërkuar për vrasje. Ekstradohet nga Londra 35-vjeçari nga Kukësi, i dënuar me 16 vite burg. Policia thotë se specialistët e Interpol Tirana ekstraduan nga Mbretëria e Bashkuar, drejt vendit tonë Granit Shehun, 35 vjeç, lindur në Kukës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e ka dënuar me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”.
NGJARJA
35-vjeçari vrau me thikë djalin e xhaxhait të tij, Milazim Shehun në zonën e Bathores dhe më pas arriti të arratisej duke i shpëtuar dënimit në Shqipëri. Mësohet se shkak i krimit të rëndë ka qenë një konflikt për vjedhjen e një shume prej 12 mijë lekësh në shtëpinë e Granitit. Pas një debati për shumën e vjedhur, 35-vjeçari e ka goditur disa herë me thikë Milazimin duke i shkaktuar atij plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në rrugën mes dy portave të shtëpive të tyre. Menjëherë pasi kreu aktin Graniti u largua për t’i shpëtuar drejtësisë, ndërsa Milazimi u transportua për në spital por nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra.
NJOFTIM I PLOTË:
Interpol Tirana
Kapet në Londër një tjetër i kërkuar për vrasje, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.
Ekstradohet nga Londra 35-vjeçari nga Kukësi, i dënuar me 16 vite burg për vrasje.
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar, drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Granit Shehu, 35 vjeç, lindur në Kukës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e ka dënuar me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi Granit Shehu në vitin 2015 në Kamzë në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobëta ka vrarë me mjete prerëse shtetasin M. Sh.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Manchester/Britani e Madhe, u bë i mundur arrestimi i tij në Britani të Madhe, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.





