Një kosovar 21-vjeçar ka shembur përdhe me goditje karateje drejtorin 44-vjeçar të fabrikës, duke e lënë të vdekur në vend.

Si “një i ri me prejardhje të huaj” e identifikonin fillimisht mediat zvicerane 21-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Fabrizio C., drejtorit 44-vjeçar të një fabrike orësh. Ndërkohë “blick.ch” duke folur për shkaktarin e vdekjes së fabrikantit shkruan se ai është një “zviceran me prejardhje kosovare”. Po kështu shkruajnë edhe mediat në gjuhën italiane, në regjionin ku ka ndodhur vrasja, e cila ka shkaktuar tronditje në kantonin jugor të Zvicrës, në Tiçino.

Është mëngjesi i së shtunës, ora 4:30. Dy persona qëndrojnë në hyrjen e garazhit nëntokësor para klubit të natës “La Rotonda”. Më i riu prej tyre e godet të vjetrin me një goditje të karatesë duke e rrëzuar përdhe, ku ai mbetet pa shenja jete. I riu pastaj e lë viktimën dhe niset të largohet gjakftohtë nga vendi i ngjarjes. Por atë e ka parë njëri nga personat e sigurimit të lokalit, i cili e kap dhe e mban kosovarin deri sa të vijë policia. Ndërkohë autoambulanca e dërgon të lënduarin rëndë në spitalin e Luganos. Por babai i dy fëmijëve (8 dhe 9 vjeç) vdes pas pak nga pasojat e lëndimit.

Mbeten ende të paqarta arsyet se përse ai e ka sulmuar drejtorin e fabrikës së orëve. Autori i dyshuar në “Facebook” prezantohet si një maço, brutal, muskuloz, me vetura të shpejta, shkruan “blick.ch”.

/Albinfo.ch/