Esat (Aleksandër) Dushaj, autori i vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër, Abdulla dhe Skënder Shkambi, do të mbetet në burg.

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër caktoi masën e sigurisë "Arrest me burg" ndaj 31-vjeçarit, i cili  kërkoi faljen përpara trupës gjykuese për krimin e dyfishtë dhe shtoi se Skënder Shkambi e kishte kërcënuar pasi ishte kundër krushqisë.

Dushaj mbërriti mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30 në gjykatë i shoqëruar nga dhjetëra policë, që ruanin çdo lëvizje gjatë kohës së shoqërimit në sallën e gjyqit. Policia i druhet hakmarrjes për shkak të vrasjes që kreu Dushaj.

Pas vrasjes më 2 janar, 31-vjeçari u arratis nëpër male dhe dy ditë më vonë, u vetëdorëzua në Tiranë, pasi kishte frikë për jetën e tij. Pas marrjes në pyetje në kryeqytet, Dushaj tha se do të vriste edhe vëllain e tretë të familjes Shkambi nëse do të kishte mundësi, ndërsa sot në Gjykatë shfaqi pendesë dhe kërkoi falje për krimin.

Vrasja ndodhi për motive banale, pasi autori kishte kërkuar të martohej me vajzën e Skënder Shkambit, por dy vëllezërit e kishin refuzuar atë si dhëndër.