Një i dënuar për vjedhje në bashkëpunim me pasojë vdekjen e dy personave në vitin 1997 është ekstraduar nga Athina.
Policia e Tiranës tha se 55-vjeçari Karafil Beqiri, lindur në Tepelenë, është ekstraduar në Tiranë nga kryeqyteti grek pasi ishte dënuar nga gjykatat e Gjirokastrës dhe Gjykata e Lartë me 20 vjet burgim për veprat penale “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim“ dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Më 6 korrik 1997, Karafil Beqiri në bashkëpunim me N. Gj., L.M, A. B dhe E.K kishin tentuar të grabisnin shtetasit V.A., F. P dhe K. P, që po udhëtonin me automjetin e V.Xh, në drejtim të Greqisë me një shumë prej 700 000 dhrahmi.
Në vendin e quajtur “Zaje”, në afërsi të Gjirokastrës kishte pasur shkëmbim zjarri mes grabitësve dhe udhëtarëve. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, kanë mbetur të vrarë V. Xhavara dhe F. Piperi.





