Luan Marra nuk i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet si autori i masakrës së ndodhur më 9 shkurt 2006 në komunën i Havaleas në komunën e Kozarës.

Luan Marra u arrestua dhe u dënua me akuzën për vrasjen e vëllait të tij, Shpëtim Marrës, si dhe ekzekutimin e kunatës Flories (e cila ishte shtatzënë në kohën kur ndodhi krimi) dhe djalin 2- vjeçar të viktimave, Artiol Marra.

Gjykata e Beratit rimori në gjykim dosjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthim të cëshjes për gjykim nga e para.

Sot Gjykata e Rrethit të Beratit shpalli fajtor dhe dënon me burgim të përjetshëm Luan Marrën për veprat penale: "vrasje ne rrethana te tjera cilesuese" dhe "armëmbajtje pa leje". Vendimi është dhënë mesditen e sotme nga kryesuesja e trupit gjykues Rudina Palloi.

Kjo është hera e tretë ku Gjykata e Beratit shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim te perjetshëm Marrën, pasi dosja ka kaluar dy herë të gjitha shkallët e gjyqësorit për të përfunduar dy herë në Gjykatën Kushtetuese e cila riktheu çështjen për gjykim nga e para.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese theksonte se në të dyja rastet e dënimit të Luan Marës janë konstatuar shkelje ligjore të rënda e të palejueshme në proces.