Pedagogu amerikan Matthew Janes Wertz 53 vjeç që vrau gruan, dy qentë dhe më pas veten në banesën e tyre në Tiranë, ka lënë pas një letër me shkrim dore. 

Kjo letër, që është sekuestruar nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës, është e shkruar në gjuhën angleze dhe janë përshkruar veprimet që ai ka ndërmarrë. 

Zyrtarisht nga Policia e Tiranës është bërë me dije se krimi ka ndodhur të hënën në banesën e tyre në Laprakë. Pedagogu amerikan ka mbytur me litar gruan e tij Saragih Indah Lilis Sartika me origjinë indoneziane, dhe më pas me një shkop bejsbolli ka goditur 2 qentë e tyre duke i lënë të vrarë. Trupin e pajetë të gruas dhe 2 qentë e ngordhur i kishte mbuluar me rroba. 

Më pas, 53-vjeçari amerikan që punonte si pedagog në një shkollë private në Tiranë, vari veten me litar. 

Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur nën kushte të rënduara psikologjike. 

Të dy shtetasit e mësipërm janë të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri dhe nga informacionet paraprake rezulton se janë bashkëshortë njëri me tjetrin. 

Shtetasi Mathew James Werts, ishte i punësuar si mësues në një shkollë private në qytetin e Tiranës, ndërsa shtetasja Saragih Indah Lilis Sartika ishte e pa punë. 

Ndërkohë janë sekuestruar provave materiale si; 

– litarët e gjendur në trupin e dy kufomave; 

– një letër e shkruar me shkrim dore në gjuhën angleze në të cilën përshkruan veprimet që ka ndërmarrë autori; 

– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Mathew James Werts; 

– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Mathew James Werts të sekuestruara në shkollën private ku ai jepte mësim; 

– një telefon celular; 

– katër kompjutera laptop; 

– një shkop bejzbolli; 

– një shumë parash në lekë shqiptare dhe valuta të huaja; 

– një automjet tip Mercedes A Class, me targë AA 510 YP në pronësi të shtetasit Mathew James Werts. 

Autopsia e kufomave do të kryhet më datë 20.08.2024 në Institutin e Mjekësisë Ligjore Tiranë. 

Të gjitha provat e sekuestruara do ti nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme kriminalistike dhe Mjeko-Ligjore. 

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.