Rreth tre muaj pas ngjarjes që tronditi Kosovën është dhënë dënimi për 43-vjeçarin që ekzekutoi ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij 9-vjeçare.

Pjetër Nrecaj është dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës dhe vajzës së tij si edhe për armëmbajtje pa leje.

Më 31 tetor në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Pjetër Nrecaj, është deklaruar sërish fajtor për dy veprat penale që akuzohet: vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Vrasjen e vajzës së tij, e ka konsideruar aksidentale.

“Dihet se dy anëtarë të familjes i kam humbur. Edhe vajzën e vogël aksidentalisht dhe e pranoj fajësinë dhe jam i penduar,” kishte thënë Nrecaj.

Valbona Nrecaj ishte në proces divorci me të shoqin ndërsa u qëllua për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit ndërsa pesë orë më herët ajo kishte njoftuar policinë për kërcënimet që po i bëheshin nga ai.