Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burgim të përjetshëm Sadetin Sulën, i akuzuar si autor i vrasjes së bashkëshortes Suela Sula, më 18 prill në Shkodër.

Viktima 38-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, u gjet e mbytur në tualetin e mobilerisë të cilën e kishte në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj, Sadetin Sula, në Shkodër, në prill të 2016-s.

Si ndodhi ngjarja

Sadetin Sula ka njoftuar vetë policinë për vdekjen e bashkëshortes së tij, Suela Sula. Fillimisht ka njoftuar nipin e tij dhe menjëherë më pas policinë e Shkodrës, duke i thënë se bashkëshortja e tij është vetëvrarë dhe se është në tualetin e mobilierisë e pajetë.

Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe pasi kanë parë rrethanat dhe shenjat në qafë, sy dhe dorën e majtë kanë bërë shoqërimin në polici të bashkëshortit të saj.

Mësohet se 47-vjeçari nuk ka pranuar se është autor i vrasjes së bashkëshortes së tij, duke i thënë policisë së ajo është vetëvrarë duke mbytur veten me litar dhe se shenjat në trup kanë qenë si shkak i tentativave për t’u vetëvrarë.

Sipas prokurorisë, Sula urdhëruar për vrasjen e gruas së tij punonjësin e mobilerisë, Fatjon Karmeshta, i cili është i pandehur në një procedim të veçuar.

Regjistrimet që zbuluan vrasjen

Sipas disa regjistrimeve të bisedave që u gjetën në telefonin e viktimës, Suela Sula dhe u administruan në cilësinë e provës materiale nga prokuroria, çifti kishte pasur debate pasi Sadedin Sula vinte në dyshim atësinë e tij për një prej fëmijëve të tyre.

Në debat e sipër, ai i kërkonte bashkëshortes kryerjen e analizës së ADN-së, si edhe kërcënonte me divorc. Në një tjetër regjistrim dëgjoheshin edhe biseda mes Sadedin Sulës dhe punëtorit të mobilerisë, Fatjon Karmeshta, ku Sula i kërkonte ndihmë 35-vjeçarit, që t’i bënte magji bashkëshortes që t’i bindej atij, si dhe i druhej divorcit, pasi mund t’i ndahej pasuria.

Zbulimi i këtyre bisedave në telefonin e viktimës, gati 2 vjet pas ngjarjes i dha një kthesë të fortë hetimit dhe gjykimit të dosjes.