Shqiptari që vrau gruan greke dhe më pas u arratis për 18 ditë me djalin e tij të vogël, nga autoritetet e vendit fqinj është dënuar me burgim të përjetshëm.

Klodian Lesi ka shprehur pendesën e vet dhe ka kërkuar ndjesë nga familja e viktimës, duke thënë se ai nuk ka qenë i vetëdijshëm në momentin e krimit, që ndodhi në banesën e çiftit, në fshatin Ormilos të Halkidikisë.

Ishte 6 janar 2016 dhe në një moment Lesi kishte rrëmbyer një thikë dhe e kishte goditur disa herë bashkëshorten me të cilën ishin në distancë prej disa kohësh. Pastaj kishte marrë me vete djalin më të vogël, të moshës 4 vjeç dhe ishte larguar.

Lesi dhe i biri kaluan më shumë se dy javë si endacakë, duke fjetur ku të mundnin dhe gjithmonë larg syve të botës.

Përfundimisht, ai u arrestua më 24 janar, shumë afër vendbanimit.

Lesi citohet nga mediat greke të ketë thënë gjatë deponimit të vet në gjyq se ai nuk mbante mend asgjë.