SHBA, 13 shtator 2014 – Dukej sikur 23 vjeçarja Lisa Techel, nga shteti i Iowa-s, kishte gjithçka. Një familje që e donte, sapo ishte martuar dhe ishte në pritje të fëmijës së parë. Ajo ishte e lumtur dhe mendonte dhe dhe burri i saj, Seth, ndihej po ashtu.
Por i riu me profesion zjarrfikës, 7 muaj pas martesës, i kishte hedhur sytë tek një tjetër femër dhe kishte vendosur të hiqte qafe të shoqen, për të jetuar me dashnoren.
Siç u bë e ditur gjatë procesit gjyqësor, ai i kishte marrë pushkën një miku të tij dhe me të kishte vrarë Lisa-n.
Ngjarja ndodhi në vitin 2012. Seth mbështeti armën në kokën e të shoqes dhe shtiu. Më pas bëri një dush për të hequr mbetjet e barutit dhe mori në telefon policinë.
Policëve u tha se ndërsa ishte në dush një burrë kishte hyrë në rulotën e tyre dhe kishte qëlluar Lisa-n.
Për disa muaj mbrojti këtë variant, por më pas tregoi se ishte ai që me gjakftohtësi kishte vrarë të shoqen.
“Seth është një vrasës me zemër të akullt. Do ta quaja kafshë, por kafsha vret vetëm për domosdoshmëri. Seth vrau sepse ashtu i vinte për mbarë”, tha babai i Lisa-s, pas përfundimit të procesit që e dënoi me burgim të përjetshëm bashkëshortin vrasës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





