Ndalohet Gëzim Kajno, 39-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim si autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016 në qytetin e Durr ësit. Nga ky dënim, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim.

Policia njofton se në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet.

Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Asllan Kërtusha.

Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vrasja e 1 marsit:

Më datë 01.03.2016, rreth orës 19:00, në lagjen Nr.17, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno nën efektin e alkoolit dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me shtetasin Asllan Kërtusha në ambientet e brendshme të lokalit.

Më pas, në konfikt e sipër, kanë dalë jashtë lokalit ku shtetasi Gëzim Kajno e ka goditur më qytën e pistoletës në kokë shtetasin Asllan Kërtusha dhe si pasojë e një shkrepjeje të armës së zjarrit është plagosur në krah shtetasi Bledar Kajno.

Po me të njëjtën pistoletë, shtetasi Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan:

• dy gëzhoja model 54 kalibri 7.62 m/m dhe
• 3 copë fishekë kalibri 7.62 m/m.