33-vjeçari dyshohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën 18-vjeçare të Fatmir Tarellarit, që në moshën 9-vjeçare.

Së fundmi kishte arritur deri në pikën që ta shantazhonte. Sipas mediave greke, tani që vajza ka filluar punë, ai dyshohet se e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që t’i jepte paratë që po fitonte, nën kërcënimin se do të publikonte materialet që posedonte.

Në këto kushte vajza i ka rrëfyer babait të saj për veprimet e 33-vjeçarit. Kur ka marrë vesh ngjarjen 50-vjeçari i ka thënë se do ta “zgjidhte vetë atë punë”.

50-vjeçari Fatmir Tarellari ka planifikuar ngjarjen e rëndë. Ai ka inskenuar një plan, ndërsa është justifikuar te gruaja e tij se do të merrte të vëllanë e saj për t’i rregulluar një defekt në makinë.

Teksa me vete kishte një armë gjahu, me leje, 50-vjeçari mori në makinë kunatin e tij dhe në aksin që lidh Volosin me fabrikën e çimentos, në një shesh të izoluar, autori fiku makinën dhe qëlloi viktimën në fytyrë me tytën e armës. Kur viktima ka tentuar t’i marrë armën, 50-vjeçari e ka qëlluar atë, duke e lënë të vdekur.

Ishte një plumb që i mori jetën në vend 33-vjeçarit Erjon Pelivani. Më pas 50-vjeçari ka telefonuar autoritetet dhe ka treguar krimin që kishte kryer. Ndërkohë, oficerët pasi shkuan në vendngjarje, gjetën trupin e pajetë të të riut me plagë në fytyrë.