20korrik 2015 – Gani Hysa, 46-vjeçari që u bë sebepi i krimit të marangozit sarandiot, Edmond Thodhori, u kap sot në Itali. Policia në Lodixhano prangosi të kërkuarin për krimin e ndodhur dy javë më parë në qytetin e Sarandës.
Hysa kishte ardhur me pushime dhe bashkë me nipin e tij ndodheshin në qytetin bregdetar, kur janë konfliktuar me Thodhorin, 32 vjeç. Pas ngjarjes, Gani Hysa, nga Gjormi i Krujës, lajmëroi nipin tjetër, i cili zbarkoi në Sarandë me disa shokë të tij.
Gjashtë vetë ndoqën për gati 24 orë makinën e fiksuar se ndodhej shënjestra e tyre. Pas ndjekjes që i kanë bërë në Sarandë e gjetën 32-vjeçarin. Fillimisht e rrethuan, duke e qëlluar me shkop bejzbolli e më pas e ekzekutuan me pistoletë me silenciator.
Policia nuk e ka përcaktuar ende se cili shkrepi armën ndaj Thodhorit, por nga dëshmitë, dyshohet se ishte nipi i Gani Hysës, aktualisht në kërkim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/