Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Dilaver Veshajn, personi që akuzohet se vrau me sëpatë kushëririn Arben Veshaj.

Krimi horror ka ndodhur në fshatin Gumenicë të Vlorës, ku konflikti mes kushërinjve përfundoi me masakrimin e 37-vjeçarit në sy të djalit të mitur.

Viktima, i cili merrej me bagëti, mëngjesin e së shtunës ishte duke shkuar te stani i tij bashkë me djalin 7 vjeç. Pranë stanit të Veshajt ndodhet dhe stani i kushëririt të tij, Dilaver Veshaj. Ndërsa Arben Veshaj po kalonte në afërsi të pronës së kushëririt bashkë me djalin e tij, i janë sulur qentë.

Ai i ka qëlluar me gurë për t’i zmbrapsur, por vetëm pak çaste më pas kushëriri i tij, 40-vjeçari Dilaver Veshaj, pa asnjë paralajmërim, ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar katër herë në drejtim të tij.

Pasi nuk ka mundur dot ta vrasë me plumba, autori i është sulur dhe me sëpatë duke e goditur shumë herë në kokë dhe për pasojë e ka lënë të vdekur në vend.