Itali, 12 qershor 2014 – Edlira Dobrushi, 37-vjeçarja nga Shqipëria, ka tentuar të mbysë veten në qelinë ku dhe vuante dënimin. Shtetasja shqiptare u shpëtua nga roja i sigurisë së burgut pasi kishte vënë re diçka të çuditshme në qelinë e saj.

Mediat italiane raportojnë se 37-vjeçarja shqiptare ka tentuar të mbysë veten me një çorape najloni brenda qelisë së burgut Bassone në Como. 

Menjëherë e burgosura u shoqërua nga policia, e cila e dërgoi për në spitalin e Comos edhe pse ka qënë në gjendje të mirë shëndetësore kur ka mbërritur aty.

Më 9 mars, Edlira Dobrushi vrau me thikën e kuzhinës tre vajzat e saj të mitura: Sidnin 3 vjeç, Kesin 10-vjeçare dhe vajzën më të madhe Simonën, vetëm 13 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e Dobrushit, në periferi të Lecco-s në Itali. Autoritetet italiane u njoftuan për krimin nga fqinjët e familjes shqiptare, të cilët kishin dëgjuar thirrjet e vajzave për ndihmë, teksa përpiqeshin t’i shmangeshin përpjekjeve të nënës së tyre për t’i qëlluar me thikë. 

Kur mbërritën në apartamentin e vogël ku jetonte gruaja e divorcuar, karabinierët u përballën me një skenë horror, pasi gjithçka ishte mbuluar në gjak, ndërsa 37-vjeçarja, me plagë në duar e qafë, në gjendje shoku, ishte shtrirë përpara portës së banesës. 

Ndërkohë vajzat e mitura u gjetën pajetë në një krevat, ku i kishte vendosur gruaja, pasi kishte kryer krimin. 

Sipas mediave në Itali, babai i vogëlusheve, Bashkim Dobrushi në atë kohë ishte nisur një ditë më parë për në Shqipëri. Ai u njoftua për ngjarjen e rëndë nga policia shqiptare, sapo zbriti nga trageti në portin e Durrësit. Çifti ishte divorcuar formalisht që në muajin shtator, ndërsa ligjërisht kishin firmosur ndarjen në muajin shkurt. 

Bashkim Dobrushi jetonte prej 15 vitesh në shtetin fqinj, ku punonte në një ndërmarrje metalesh dhe u kishte rrëfyer kolegëve se ishte divorcuar nga e shoqja, për shkak të krizave të depresionit që ajo kishte shfaqur kohët e fundit. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/