Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë 60 ditë burg për 29-vjeçarin Leo Nika, i cili ekzekutoi me armë zjarri prindërit e tij në Xhafzotaj të Durrësit.

Gjithashtu gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize mjekësore për të verifikuar gjendjen e shëndetit mendor të 29-vjeçarit, i cili mësohet se nuk ka folur gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Më herët gjatë ditës së djeshme, autori i vrasjes së dy prindërve të tij, ka deklaruar në polici se sherri me nënën e babanë nisi për çështje parash.

“Debati nisi për çështje parash. U kërkova prindërve para për të ikur në Itali. Nuk më dhanë, prandaj nisi sherri. Nuk mbaj mend se si i qëllova prindërit”, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari.

“DurrësLajm” mëson se Leo Nika nuk ka pasur kartelë të hapur për gjendjen e tij mendore. Dyshohet se shkak i gjendjes depresive të 29-vjeçarit të ketë qenë varfëria e papunësia. Ndërkohë bëhet me dije se gruaja dhe vajza e Nikës rrinin te shtëpia e prindërve të saj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua të enjten më 29 qershor në Xhafzotaj, ku Leo vrau me çifte babanë Ali Nika 70 vjeç dhe nënën e tij Jenijen 66 vjeçe.