Gjykata e Fierit ka dhënë sot masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Albert Zekajn, 32-vjeçarin i cili vrau shokun e tij Kreshnik Beqiraj, trupi i të cilit u zbulua i dekompozuar dy ditë më parë.
Zekaj e vrau 36-vjeçarin Beqirajn në qershor të 2017-s, pasi ky i fundit i kishte kërkuar që të paguante qiranë e shtëpisë ku jetonin prej 2 vitesh. Pas krimit, 32-vjeçari e mbështolli trupin e tij me batanije dhe e groposi në afërsi të fshatit Daullas, në Fier.
Para gjykatës Zekaj ka shprehur pendesë për krimin dhe i ka kërkuar falje familjes së viktimës.
Ndërkohë, Albert Zekaj ka dhënë një dëshmi të frikshme përpara hetuesve. Ai ka deklaruar se mbrëmjen e 26 qershorit kur ka shkuar në shtëpinë ku jetonte me Kreshnik Beqirajn, kishte konsumuar dy dopje pije alkoolike dhe e ka qëlluar me çekiç në kokë disa herë duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas ai vijuar dëshminë horror duke thënë se e ka lënë trupin për tre ditë të fshehur në shtëpi me qëllim që të ngrinte gjaku e të mos mbeteshin shenja. Pas tre ditësh e ka copëtuar trupin dhe pasi e ka mbështjellë me batanije dhe i ka vendosur në një valixhe pjesët e trupit i ka hedhur në fshatin Daullas. “Pas tre ditësh e copëtova dhe e mbulova me batanije. E mbajta tre ditë në shtëpi”, ka thënë Zekaj në gjykatë.





