Gjykata e Apelit Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë të Marius Demës, autori i vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema në zonën e “5 majit” në Tiranë pak muaj më parë.

Mësohet se ndaj Demës është ndryshuar masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Dema akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vendimi:

Në ngjarjen e ndodhur më datë 10.05.2021, ora 23:30, në Tiranë, në rrugën “5 Maji”, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M.Q, autor i së cilës dyshohet shtetasi M.D, i cili u arrestua.

Në vijim në Gjykatën e Apelit Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me zëvëndësimin e masës së sigurimit për personin nën hetim M.D, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Më herët, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 757/1 Regj.Them , datë 12.07.2021 ka vendosur:

-Për personin nën hetim M.D caktimin e masës “Arrest në burg”.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personat nën hetim M.D.

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 625 datë 27.07.2021 vendosi:

-Ndryshimin e vendimit Nr. . 757/1 Regj.Them , datë 12.07.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

– Zëvëndësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” caktuar me vendimin nr. 757 datë 15.05.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dukë caktuar si masë sigurimi” Arrest në shtëpi”.

Tiranë, 27.07.2021