Sandro Mugnai, italiani i cili mbrëmjen e 5 Janarit vrau me armë zjarri shqiptarin Gëzim Dodoli, pasi ky i fundit tentoi t’i shkatërronte shtëpinë me ekskavator, doli të hënën para gjykatës dhe u lirua nga burgu.

Sipas mediave italiane, gjykata italiane vlerësoi se 53-vjeçari italian kishte kryer aktin e rëndë për vetëmbrojtje.

Gezim Dodoli, 59 vjeç tentoi t’i shkatërrojë shtëpinë e fqinjit të tij me ekskavatorin që përdore për të punuar. Si rrjedhojë fqinji e qëlloi me armë duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërkohë gjykata ka vlerësuar se italiani qëlloi për të shpëtuar veten dhe familjen: të ëmën e moshuar, bashkëshorten, djalin e vogël, vëllain dhe të afërm tjerë, që rrezikonin të vdisnin nëse do të shembej çatia si pasojë e goditjeve nga ekskavatori. Banesa në fjalë u shpall e pabanueshme, që ditën e ngjarjes.

Në seancën gjyqësore, Mugnai tregoi edhe dinamikën e ngjarjes që duket se edhe bindi gjykatësin. Sipas 53-vjeçarit, të shtënën e parë e gjuajti përtokë, jo në drejtim të fqinjit të tij Gëzim Dodoli, e më pas e paralajmëroi duke i bërtitur: Ndal.

Po në ato momente, vëllai i autorit kishte dalë në dritare dhe po përpiqej të bindte shqiptarin që të ndalej, por pa sukses.

Të shtënat e tjera iu drejtuan Dodolit, i cili ndërroi jetë menjëherë.

Sipas gjykatësit, të paktën subjektivisht, ekzistonte rreziku që personat që ndodheshin në shtëpi të humbnin jetën, ndaj dhe ishte mbrojtje e ligjshme.