Në dëshminë e saj në polici, 19-vjeçarja Hygerta Meta, studente në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, ka deklaruar se vrasja e të atit ka ndodhur pas një urrejtje të gjatë që ajo kishte akumuluar në vite ndaj babait autoritar.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë.

Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive.

Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, tha ajo.

Edhe bashkëshortja ka deklaruar në polici se Pëllumbi ishte autoritar dhe vendimet i merrte ai.

Policia nuk e ka gjetur ende armën e krimit që mund të ndihmojë më shumë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë që dyshohet se është kryer nga vajza, por edhe me bashkëpunëtorë.

Policia e Durrësit po merr në pyetje shumë persona që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen, ndërkohë që në mesditë efektivët sollën në vendin e krimit Hygertën 19-vjeçare.

Me maskë në fytyrë dhe e shoqëruar nga disa policë, ajo u është përgjigjur pyetjeve të ekspertëve të kriminalistikës.

Varrimi i 49-vjeçarit do të bëhet ditën e shtunë, në orën 11.00, në varrezat e fshatit.