Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi krimin tronditës në familjen Rama, ngjarje e ndodhur mbërmjen e së mërkurës në fshatin Frashër të Fierit, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama dyshohet se ka bashkëpunuar me të dashurin e saj, 55-vjeçarin Çlirim Dogani, për të vrarë të atin, duke e mbytur me tel.

Burime bëjnë me dije se Ermalinda jetonte herë pas here në fshatin Suk të Roskovecit, ku motra e saj është e martuar dhe jeton prej vitesh. Në këtë zonë, konkretisht në Suk 1, Suk 2 dhe Arapaj, Ermalinda mësohet se punonte në serat e fermerëve vendas.

Dyshohet se pikërisht aty është njohur me Çlirim Doganin, me të cilin më pas ka nisur një lidhje dashurie, që mesa duket është kundërshtuar nga i ati i Ermalindës, Anesti Rama.

Dogani nga ana tjetër mësohet se është i martuar dhe baba i disa fëmijëve në moshë madhore. Ai mohon çdo përfshirje në ngjarje dhe ka deklaruar përpara hetuesve se në momentin e krimit ndodhej në fshatin e tij, larg vendit të ngjarjes.

Ndërkohë, mësohet se Ermalinda ka qenë më herët e fejuar tre herë, por është ndarë në të gjitha rastet për shkak të kundërshtimit të babait të saj.

Hetuesit dyshojnë se ky konflikt i përsëritur ka agravuar marrëdhëniet mes të bijës dhe të atit, duke e parë këtë të fundit si pengesë për jetën e saj personale, e ç’ka dhe mund ta ketë shtyrë drejt akit të rëndë.