Gjykata e Korçës ka lënë sot në burg 77-vjeçarin i cili dy ditë më parë vrau të birin duke e goditur me çekiç.
Ngjarja që fillimisht rezultoi aksidentale u zbardh nga policia ndërsa autor i saj ishte vetë babai i viktimës, Shyqyri Bylykbashi.
Në seancë e sotme gjyqësore ai ka deklaruar se djali kohët e fundit vinte i dehur në shtëpi ndërsa atë ditë i kishte thënë se do ta hidhte në pus.
“Më dhunonte dhe ditën e ngjarjes donte të më hidhte në pus. Nuk durova dhe reagova,” ka thënë i moshuari.
Sipas avokatit, ngjarja ka ndodhur në një situatë të rënduar psikologjike dhe të përsëritur, çka ngre dyshime të forta edhe sipas provave se mund të jetë bërë për vetëmbrojtje.





