Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Prizren ku një konflikt i nisur fillimisht në lokalin e nates “Kobra City” ka rezultuar fatal për 31-vjeçarin nga Kukësi, Visart Cengu.

Ai u qëllua me armë zjarri teksa po largohej me makinë me dy miqtë e tij nga pronari i lokalit të natës Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”.

“Kobra” njihet si një person me precedent të mëparshëm penal, pasi më parë është proceduar mbi 150 herë.

I riu nga Kukësi dhe dy miqtë e tij, Arben Basha dhe Rufgen Shehu, po largoheshin me makinë kur u qëlluan me armë zjarri e ku u plagosën Cengu, i cili humbi jetën rrugës për në spital, dhe Shehu që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Veç Hoxhajt, janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë policia bën me dije se po kryhen kontrolle në disa objekte dhe një banesë.