Policia e Lezhës ka publikuar foton e autorit të vrasjes së dyfishtë mbrëmë në Rrëshen dhe ka vendosur 5 milionë lekë të vjetër shpërblim për atë që jep informacion të saktë për vendndodhjen e 47-vjeçarit Fatmir Kolecaj për ta prangosur.
Blutë e Lezhës njoftojnë se vijon krehja e zonës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Kodër Rrëshen, ku u ekzekutuan me armë zjarri 34-vjeçari Vledison Filopati dhe motra e tij Esmeralda Filopati 36 vjeçe.
Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar pa ndërprerë kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i dyshuar i ngjarjes.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe dokumentimin e ngjarjes.
Për të bërë të mundur kapjen sa më parë të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë vë në dispozicion 5 milion lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit.
Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin 069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt.





