Itali, 16 mars 2014 – Opinioni publik italian është shokuar nga një ngjarje e rëndë e regjistruar mëngjesin e sotëm në Segni, afër Romës. Rreth orës 08.50, 53 vjeçari Eraldo Marchetti ka shkuar në shtëpinë ku jetonte ish gruaja e tij dhe dy djemtë binjakë, të moshës 9-vjeç. Mes të dyve ka nisur një grindje dhe 53 vjeçari ka nisur të godasë gruan e tij me çekiç në kokë në sy të fëmijëve. Këta të fundit të shokuar kanë parë të gjithë ngjarjen dhe kanë njoftuar të afërmit, të cilët nga ana e tyre kanë telefonuar në polici.
47 vjeçarja është dërguar me urgjencë në spital, por ka humbur jetën pak më vonë. Pas vrasjes, 53 vjeçari është dorëzuar në polici. Sipas fqinjëve, Maria, që punonte si mësuese në një shkollë, ishte një grua e bukur dhe pavarësisht se prej muajsh kishte nisur praktikat e divorcit me të shoqin, ky i fundit dukej se ishte mjaft xheloz.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





