25 tetor 2013- Qëllon për vdekje me armë gjahu 30 vjeçarin shqiptar dhe më pas e varros pas oborrit të shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur në 24 shtator të këtij viti në Athinë, ndërsa policia ka mundur ta zbulojë vetëm dy ditë më parë, ndërsa në pranga është vënë një shtetas grek dhe një oficer policie që kishte dijeni për ngjarjen pasi ishte mik i autorit të krimit.
Pas vrasjes greku e kishte mbështjellë trupin e viktimës me një batanije dhe kishte hapur një gropë pas banesës së tij, ku kishte futur trupin e shqiptarit. Tre ditë pas krimit në datën 27 shtator 2013, vëllai i viktimës, një 27 vjeçar shqiptar kishte shkuar në rajonin e policisë së Melissia ku kishte denoncuar zhdukjen e vëllait të tij. Policia greke kishte nisur përgjimet dhe kishte siguruar prova se, shqiptari ishte vrarë dhe autori i këtij krimi ishte një qytetar grek, i cili është ndaluar.
Ky i fundit, vetëm dy ditë më parë, ka treguar për policinë të gjithë ngjarjen, duke treguar edhe vendin ku e kishte varrosur shqiptarin e vrarë. Në pranga veç autorit të vrasjes, i cili e ka pranuar krimin e ndodhur, është arrestuar edhe oficeri i policisë, për akuzën e fshehjes së krimit dhe strehimin e një personi të dyshuar për vrasje.
/sot news/





