Virginia Giuffre, një nga figurat më të njohura në luftën kundër abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare.

Familja e saj konfirmoi se ajo i ka dhënë fund jetës, në fermën e saj në Australinë Perëndimore.

Giuffre u bë e njohur globalisht për akuzat e saj kundër financierit amerikan Jeffrey Epstein, bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell dhe Princit Andrew të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo deklaroi se ishte trafikuar nga Epstein dhe Maxwell kur ishte vetëm 17 vjeç, për t’u abuzuar seksualisht nga Duka i Jorkut – akuza që Princi Andrew i ka mohuar vazhdimisht. Në vitin 2022, ai arriti një marrëveshje jashtë gjykate me Giuffre, pa pranuar fajësinë, shkruan BBC.

Në një deklaratë të dhënë nga familja e saj të premten, Virginia u përshkrua si një “luftëtare e ashpër në luftën kundër abuzimit seksual”. Ata shtuan se ” abuzimi që ajo kishte përjetuar… u bë e padurueshme”.

“Ajo vrau veten, si viktimë e përjetshme e trafikimit dhe abuzimit seksual,” thuhet në deklaratën familjare.

Virginia jetonte në periferi të Perthit së bashku me tre fëmijët e saj dhe bashkëshortin Robert, megjithëse raportime të fundit tregonin se çifti ishte ndarë pas 22 vitesh martesë.