Itali, 30 korrik 2014 – Policia italiane ka arrestuar në qytetin Altamura të Italisë, shtetasin shqiptar Taulant Hodaj, pasi u kap në flagrancë me 13 kilogramë heroinë. Sasia e madhe e lëndës narkotike, e cila në treg arrin vlerën e disa million eurove u sekuestrua në kuadër të operacionit policor “Vrima”.
Droga u gjet në apartamentin e Hodajt në qendër të qytetit, e përpunuar dhe e paketuar në 21 pako nga 500 gr secila.
Hetimi rreth Taulant Hodajt ka nisur disa kohë më parë dhe autoritetet kanë zbuluar se ai është pjesë e një organizate kriminale që trafikon drogë nga Shqipëria në Pulia të Italisë.
Gjithashtu është raportuar se në apartamentin e tij ekzistonte një laborator droge, të cilin Hodaj e përdorte për të përpunuar drogën për ta hedhur më pas në tregun lokal. Laboratori ishte i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për ndarjen dhe përpunimin e drogës dhe ambalazhimin e heroinës para hedhjes në treg.
Hodaj është shoqëruar në burg, ndërkohë që policia italiane po punon për të zbuluar të tjerë persona që janë të lidhur me këtë trafik ndërkombëtar heroine.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





