GREQI, 3 korrik 2013 – Mbi 300 forca policore ndër të cilët edhe ato speciale vazhdojnë edhe sot operacionin për kapjen e 3 shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas.
Operacioni policor ka filluar që dje në mëngjes ndërsa në mbrëmje rreth orës 21:00, gjatë përleshjes së armatosur me policinë në Koniska të Etoloakarnanias, mbetën të vrarë 2 prej shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas në Greqi.
Sipas medias greke, dy shqiptarët e vrarë janë Admir Murataj 41 vjec dhe Edison Lika, 25 vjec.
Nga të dhenat e para mësohet se policia iu gjeti 2 viktimave një shumë prej gati 500 000 euro dhe këtu kujtojmë se ky grup në muajin maj grabiti 1 mln euro në një bankë në Larisa.
Operacioni për kapjen e shqiptarëve të arratisur filloi dje kur ata u identifikuan nga kamerat termike të policisë. Pas identifikimit, vazhdoi një ndjekje intensive me helikopterë dhe qen policie. Gjatë mbrëmjes policia ndeshi me personat e armatosur, të cilët nuk u dorëzuan por hapën zjarr mbi policinë, shkëmbim zjarri që përfundoi me 2 viktima.
Operacioni vazhdoi edhe pas kësaj ngjarjeje dhe në kërkim janë edhe 3 persona të tjerë, mes të cilëve edhe i shumëkërkuari Marian Kola, që cilësohet person i rrezikshëm nga policia greke.
Kujtojmë se më 22 mars nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, 3 prej të cilëve iu kapën menjëherë. Të tjerët që nga ajo ditë janë endur nëpër zona të ndryshme të Greqisë dhe herë pas herë janë përleshur me armë me policinë. Gjatë një përleshjeje të tillë më 30 mars u vra 25 vjecarja Katerina Zogali, e cila kalonte rastësisht pranë vendit të ngjarjes, ndërsa më 17 qershor, të arratisurit vranë një polic 37 vjecar dhe carmatosën patrullën e tij të policisë.





