Një vrasje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Vlorë, ku për pasojë kanë humbur jetën 2 persona dhe është plagosur rëndë një tjetër.
Ngjarja ka ndodhur në një qendër bastesh në lagjen ‘Partizani’ te Spitali. Nga të dhënat paraprake, një person, ende i paidentifikuar ka hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të qendrës së basteve, ku nga të shtënat humbi jetën shtetasi Ilir Beromema 45 vjeç, pronari i eurollotos, Dhimitër Cani 60 vjeç, si dhe u plagos Krenar Runaj, 53 vjeç. Sakaq, dyshohet se Cani është kambist.
Mësohet se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa u transportua me urgjencë në spital, ku po i nënshtrohet një operacioni.
Forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Nga pistat hetimore të deritanishme, dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për hasmëri, ndërsa pritet të zbardhet dinamika e ngjarjes.
Fill pas ngjarjes së rëndë, policia ka shoqëruar në komisariat tre persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me krimin. Ndërkohë, në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit janë ngritur postblloqe për të arritur identifikimin dhe kapjen e autorit.





