Dy të rinj palestinezë u qëlluan për vdekje dhe ambulancat nuk u lejuan të afroheshin për t’i ndihmuar, ndërsa 20 të tjerë u arrestuan sot në Bregun Perëndimor teksa ushtria izraelite vijon bastisjet në territoret e pushtuara.
Dy të rinj të tjerë mbeten të plagosur gjatë bastisjes së ushtrisë në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor, shkruante rrjeti i Katarit, Al Jaseera.
Mustafa Sultan Abed, 22 vjeç dhe Ahmad Mohammad Shawahneh, 21, u qëlluan për vdekje pranë një postblloku në Jenin, ndërsa ambulancat nuk u lejuan të afroheshin në zonë për të dhënë ndihmën apo dhe për të marrë trupat e dy të rinjve, shkruante sot agjencia palestineze Wafa.
“Ne dimë që ata u lanë të humbnin gjak deri në vdekje, rreth një orë para se ambulancat të lejoheshin të shkonin te ta,” tha gazetari i rrjetit Al Jazeera, Zein Basravi, duke raportuar nga Ramallah në Bregun Perëndimor.
“Kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Ushtarët izraelitë janë të detyruar nga ligji të japin ndihmën për shpëtimin e jetës, edhe në raste si këto”, shtoi ai.
Basravi shtonte se në Bregun Perëndimor në lindje të territoreve palestineze, kishte pasur katër bastisje të ushtrisë në fshatra, mëngjesin e të shtunës.