MITROVICE- H.Hyseni, rreth 58 vjeç nga Mitrovica është vrarë mbrëmë nga persona të panjohur në Mitrovicë. Vrasja ka ndodhur në orën 23 e 50 minuta.
Toger Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë ka deklaruar se vrasja është raportuar të ketë ndodhur disa minuta para mesnatës, ndërsa viktima H.Hyseni, rreth 58 vjeçar, ishte sulmuar me armë zjarri duke u plagosur në kokë, me ç’rast ka pranuar plagë vdekjeprurëse, dhe i njëjti është konfirmuar pa shenja jete, në vend të ngjarjes, përkatësisht në ballkonin e shtëpisë së tij, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Hetuesit policor të drejtorisë rajonale të hetimeve në Mitrovicë së bashku me teknikët e kriminalistikës, nën udhëheqje të prokurorit publik, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe inicimin e procedurave të rastit të vrasjes së rëndë.
“Së paku tri lokacione të ndryshme janë kontrolluar nga policia pak qaste pas rastit të vrasjes së raportuar ndërsa nuk është raportuar për persona të arrestuar deri në këto qaste”, ka thënë Hoti.
Hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin e rrethanave të plota të rastit dhe ndërtimit të motivit të mundshëm.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit publik, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.