SIRI, 20 shkurt 2013- Një futbollist sirian u vra nga një sulm me mortajë në stadiumin e Damaskut, konfirmon agjencia shtetërore e lajmeve ditën e sotme.

Agjencia e lajmeve “Sana” ka thënë se dy sulme me mortaja ndodhën pranë stadiumit “Tishreen” në distriktin e Baramkehit, ku skuadrat Al-Wathba dhe Al-NaWair po kryenin seancat stërvitore.

Thuhet se janë plagosur edhe një sërë sportistësh të tjerë nga sulmi ‘terrorist’, tha ‘Sana’. Sulmi vjen dy ditë pasi u konfirmua se dy mortaja iu afruan pallatit presidencial.

Rebelët dhe trupat qeveritare kanë muaj që luftojnë ndërmjet tyre në rrethinat e Damaskut. Opozita ka thënë se më shumë se 50 persona janë vrarë në rrethina ditën e martë.