Burime të inteligjencës në Pakistan kanë njoftuar për vrasjen e komandantit taliban, Maulvi Abbas.
Autoritetet lokale i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se shpërthimi në provincën e Vaziristanit Jugor u ka marrë jetën edhe tre personave, përfshirë djalin e Abbasit.
Forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën ku ka ndodhur sulmi, i cili me gjasë ka pasur në shënjestër komandantin taliban.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup.
Vaziristani jugor, i cili ndodhet pranë kufirit me Afganistanin, është shpesh skenë e aktiviteteve të dhunshme të kryengritësve.