Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Selenicë të Vlorës. 64-vjeçari Fatmir Hodo është vrarë me armë zjarri në fshatin Kot të Selenicës.

Mësohet se Hodo është kreu i njësisë administrative në këtë fshat. Nga raportimet e para dyshohet për një konflikt të mëparshëm mes autorit shtetasit A.D., rreth 43 vjeç dhe viktimës.

43-vjeçari pas krimit është larguar nga vendngjarja, mësohet se autoritetet po punojnë për kapjen e tij.

NJOFTIMI I POLICISË

Më datë 09.11.2018, në orën 14:55, në një lokal në fshatin Kotë, është qëlluar me armë gjahu shtetasi F.H, rreth 64 vjeç (Kryetar i Njësisë Administrative Kotë), i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vend.

Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes i cili dyshohet të jetë shtetasi A.D dhe janë vënë në ndjekie të tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen hetimet në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të situatës.

Forca policie janë vënë në ndjekie të autorit me qëllim kapjen dhe arrestimin e tij.