Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Belgjikë, ku një 43-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë kushëriri i tij.

Sipas mediave vendase ngjarja ka ndodhur të dielën e 25 gushtit në Machelen dhe shkak ka qenë një mosmarrëveshje për një vend parkimi. Viktima është identifikuar si Shpëtim.A.

“Pas një mosmarrëveshjeje të gjatë për një vend parkimi, një burrë 61-vjeçar qëlloi mbi fqinjin e tij 43-vjeçar dhe fqinjin e tij 19-vjeçar të dielën, 43-vjeçari vdiq dhe kushëriri ka pësuar lëndime dhe ndodhet në rrezik për jetën. Pas të shtënave autori është arratisur, por u kap më pas nga policia”, shkruajnë mediat.

Ndërkohë një dëshmitar ka deklaruar se ka parë gruan e viktimës, e cila qante me të madhe duke bërtitur “a po merr frymë”.

Sipas fqinjëve prej disa kohësh gjërat nuk shkonin mirë mes autorit, një italian dhe viktimës, një shqiptar. Në momentin e ngjarjes u tha se në shtëpinë e viktimës kishte një festë ditëlindjeje.

Mbrëmjen e së dielës, dyshohet se vendi i parkimit ishte  bllokuar nga viktima, duke çuar në të shtënat fatale.