Artan Kaja, një sipërmarrës 52-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i pajetë në kompaninë Smurfit në Lunata të Italisë  mbrëmjen e së martës. Fillimisht vdekja e tij dyshohej se ishte për shkaqe natyrale, por nga hetimet është zbuluar se ai ishte vrarë me armë zjarri.

Pasditen e sotme, policia italiane ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen. Bëhet fjalë për një bashkëatdhetar të biznesmenit të vrarë. Pasi është marrë në pyetje, ai është lënë i lirë, por mediat italiane theksojnë se ai do të meret sërish në pyetje. Hetimet vijojnë nga karabinierët e njësisë hetimore, ndërsa për momentin arma e vrasjes nuk është gjetur.

Artan Kaja, baba i dy fëmijëve, ishte pronar i një kompanie për trajtimin e paletave, i cili punonte si kontraktor në Smurfit në Lunata. Ka qenë gruaja e tij që e ka gjetur të pajetë në një pellg gjaku, e alarmuar ngaqë nuk ishte kthyer në shtëpi. Në fillim kishte qarkulluar hipoteza e një sëmundjeje, por tashmë hetimet kanë marrë një kthesë të bujshme.